MK | AL | EN

PLANI INDIVIDUAL PËR PUNËSIM

Plani individual për punësim (PIP) përgatitet nga personi përgjegjës në qendrën e punësimit, në bashkëpunim me personin e papunë. Nëpërmjet këtij plani, përcaktohen qëllimet e punësimit, plani i aktiviteteve të personit të papunë, pjesëmarrja në masat e politikave aktive për punësim dhe vendi i punësimit.

Në bazë të një vlerësimi të përbashkët, propozohen masat dhe aktivitetet e caktuara që duhet të merren nga personi i papunë në procesin e kërkimit aktiv për punë, kurse për punonjësin në qendrën e punësimit, PIP është një mjet për punë të mëtejshme individuale me personin e papunë. Me këtë dokument të dakorduar, personi është i obliguar të kërkojë punë në mënyrë aktive sipas aktiviteteve të planifikuara.

Është veçanërisht e rëndësishme nëse personi i papunë e përjeton PIP si një plan personal për veprimet që duhet të ndërmerren. Për këtë arsye, është e nevojshme që të jesh i sinqertë dhe të sigurosh sa më shumë informacione të cilat do ta ndihmojnë punonjësin në qendrën e punësimit t’i drejtojë siç duhet aktivitetet për punësimin e atij personi.

Vlefshmëria e PIP është gjashtë muaj nga dita e nënshkrimit, pas së cilës bëhen ndryshimet e tij.