ANGAZHIMI I PERSONAVE NË PUNË
Me Ligjin e ri për angazhimin e personave në punë, angazhimet afatshkurtra të punës me karakter të përkohshëm dhe sezonal formalizohen dhe regjistrohen përmes sistemit të përmirësuar e-Punë. Regjistrimi dhe çregjistrimi i personave të angazhuar në punë është i detyrueshëm për çdo punëdhënës që angazhon persona për këtë lloj pune.
SI REALIZOHET ANGAZHIMI NË PUNË?
Punëdhënësi është i detyruar që, para fillimit të punës, të regjistrojë angazhimin në punë përmes sistemit e-Punë, si dhe të kryejë në kohë çregjistrimin, në rast se angazhimi nuk realizohet.
Para fillimit të punës, punëdhënësi duhet ta informojë personin e angazhuar për:
- llojin dhe mënyrën e kryerjes së punës;
- vendin dhe kohëzgjatjen e angazhimit;
- kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë;
- orarin ditor dhe javor të punës, si dhe pushimet;
- shumën, mënyrën dhe afatin e pagesës së kompensimit financiar.
ÇKA JU NEVOJITET PËR TË REGJISTRUAR NJË ANGAZHIM NË PUNË?
Për të regjistruar një angazhim në punë, duhet të navigoni në sistemin e-Punë dhe, në seksionin paraqitja e kërkesës”, të plotësoni të dhënat vijuese për personin e angazhuar:
- numrin amëz të qytetarit (NAQ) dhe numrin e dokumentit të identitetifikimit;
- numrin e telefonit ose e-mail adresën;
- numrin e llogarisë bankare.
Për të kompletuar regjistrimin, duhet gjithashtu të zgjidhni cilësinë në të cilën bëni regjistrimin, sektorin e veprimtarisë, llojin e punës, kompensimin total, numrin e orëve të angazhimit, si dhe ndërrimin në të cilin angazhohet personi. Brenda disa minutash, realizohet një angazhim pune formal dhe i rregullt.
CILAT JANË PËRFITIMET?
Me këtë zgjidhje ligjore mundësohet:
- regjistrim i lehtë dhe i thjeshtë i angazhimeve në punë;
- formalizimi i punës sezonale dhe të përkohshme;
- ruajtja e të drejtave të fituara sociale dhe të drejtat e fëmijëve për personat e angazhuar, si dhe e së drejtës për pension pleqërie dhe pension familjar;
- personat e regjistruar si të papunë, të cilët angazhohen në punë, nuk e humbin të drejtën e kompensimit financiar mbi bazën e sigurimit në rast papunësie dhe nuk fshihen nga evidenca e të papunëve; studentët dhe nxënësit nuk i humbin të drejtat e fituara sipas ligjeve të posaçme në fushën e arsimit;
- kompensimi financiar i realizuar nga personi i angazhuar nuk ndikon në fitimin, realizimin apo humbjen e të drejtave të tjera të përcaktuara me ligje të posaçme.
KUSH MUND TË JETË PUNËDHËNËS?
Punëdhënës mund të jetë person fizik ose juridik që, për nevojat e veta, angazhon persona në veprimtaritë vijuese:
- bujqësi, pylltari dhe peshkim;
- objekte akomoduese dhe veprimtari të shërbimit ushqimor;
- veprimtari shtëpiake.
Angazhimi lejohet ekskluzivisht për punë të përcaktuara me ligj dhe të cekura në sistemin për angazhimin në punë.
KUSH MUND TË JETË PERSON I ANGAZHUAR NË PUNË?
Person i angazhuar në punë mund të jetë:
- person që nuk është në marrëdhënie pune;
- person i punësuar ose i vetëpunësuar;
- student;
- person nën moshën 18 vjeç (vetëm për punë të caktuara të cilat janë të lejuara);
- përfitues i pensionit familjar ose të pleqërisë;
- shtetas i huaj me qëndrim të rregulluar sipas ligjit.
Angazhimi në punë nuk përbën bazë për humbjen e të drejtave sociale të fituara.
ÇFARË ËSHTË PUNA E PËRKOHSHME DHE SEZONALE?
- Punë sezonale – punë që kryhet në periudha të caktuara të vitit për shkak të kushteve klimatike ose natyrore, me numër të kufizuar orësh ose ditësh pune.
- Punë e përkohshme – punë që kryhet përkohësisht, herë pas here ose me ndërprerje, në përputhje me kufizimet ligjore.
DETYRIMET TATIMORE DHE TË SIGURIMIT
Ligji rregullon procedurën e llogaritjes dhe pagesës së:
- tatimit mbi të ardhurat personale;
- kontributit për sigurim pensional dhe invalidor;
- kontributit shtesë për sigurim shëndetësor të detyrueshëm në rast lëndimi në punë.
Pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale dhe e kontributeve kryhet përmes sistemit të përmirësuar të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.