17.02.2022
Murati viziton Qendrën e Punësimit në Strugë dhe Qendrën e Punësimit në Ohër: Së shpejti fillon Plani Operativ për vitin 2022, për realizimin e të cilit janë parashikuar 28 milionë euro

Drejtori i Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqeedonisë së Veriut, Bekim Murati, sot ka vizituar Qendrat e Punësimit në Strugë dhe Ohër dhe ka biseduar me të punësuarit për kontributin që ata kanë dhënë në realizimin e Planit Operativ për vitin 2021, si dhe për përgatitjet për Planin e ri Operativ për vitin 2022, i cili është në fazën përfundimtare dhe duhet të fillojë së shpejti.
“Institucioni ynë është një segment kyç në zbatimin e Planit Operativ sepse ka kontakt të drejtpërdrejtë me përdoruesit e masave dhe programeve aktive dhe nëpërmjet 30 Qendrave të Punësimit në vend plotëson kërkesat dhe nevojat e tyre. Prandaj profesionalizmi dhe përkushtimi në punë i Qendrave të Punësimit janë bazë për zbatimin me sukses të masave dhe programeve aktive të punësimit”, tha Murati.
Gjatë vizitës së Qendrave të Punësimit, Bekim Murati theksoi se lidhur me Planin Operativ të vitit 2021, qytetarët e Strugës dhe Ohrit kanë treguar interesim të madh për të marrë pjesë në masën aktive Vetëpunësimi e cila paraqet një mbështetje për personat e papunë për të filluar biznesin e tyre, si dhe masën aktive Praktikim përmes së cilës personat e papunë fitojnë njohuri praktike për vendet e punës.

“150 të papunë nga Struga dhe 78 të papunë nga Ohri tanimë janë bërë sipërmarrës dhe kanë hapur biznesin e tyre përmes programit për Vetëpunësim i cili siguron mbështetje financiare prej 307.500 denarë ose deri në 615.000 denarë, nëse themelohet personi juridik nga ana e dy sipërmarrësve. -Në masën aktive të Praktikimit morën pjesë 53 persona të papunë nga Struga dhe 67 persona të papunë nga Ohri dhe fituan njohuri dhe shkathtësi praktike, të cilat i bënë më konkurrues në tregun e punës - tha Murati.
Drejtori i APRMV-së, Bekim Murati njoftoi se së shpejti do të fillojë realizimi i Planit të ri Operativ për vitin 2022, i cili është krijuar në përputhje me nevojat e tregut të punës, me qëllim të uljes së papunësisë, rritjen e punësueshmërisë për personat e papunë, e me këtë edhe zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit. Për realizimin e tij janë paraparë 28 milionë euro (1,73 miliardë denarë).